October 20, 2026
1 min read

Mariah Carey fiton betejën ligjore ndaj vëllait, rrëzohet padia prej 20 milionë dollarësh

Këngëtarja e njohur amerikane, Mariah Carey, ka shënuar një fitore në gjykatë, pasi është rrëzuar padia prej 20 milionë dollarësh e ngritur ndaj saj nga vëllai, Morgan Carey.

Ai e kishte akuzuar këngëtaren për shpifje në librin e saj autobiografik, The Meaning of Mariah Carey, të publikuar në vitin 2020.

Vendimi u mor nga gjyqtarja e Gjykatës Supreme të Shtetit të Nju Jorkut, Leslie A. Stroth, e cila vlerësoi se Morgan Carey nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme për të dëshmuar se motra e tij kishte bërë deklarata duke e ditur se ato ishin të pavërteta.

Në padinë e tij, Morgan kishte kundërshtuar disa pjesë të librit, ku këngëtarja kishte shkruar se ai kishte vuajtur më parë dënim me burg dhe ishte përfshirë në shitjen e kokainës.

Në një nga pasazhet e përmendura në procesin gjyqësor, Mariah Carey kishte pretenduar se vëllai i saj u siguronte personave të famshëm substanca narkotike për festa. Morgan i kishte mohuar akuzat e paraqitura në autobiografinë e këngëtares.

Në arsyetimin e vendimit, gjyqtarja theksoi se paditësi nuk kishte arritur të përmbushte standardin ligjor për të vërtetuar se Mariah kishte vepruar me keqdashje të qëllimshme. Për këtë vlerësim u morën parasysh edhe dispozitat ligjore të Nju Jorkut që synojnë të mbrojnë lirinë e shprehjes nga paditë që mund ta kufizojnë atë.

Gjykata hodhi poshtë gjithashtu pretendimin se këngëtarja kishte vendosur interesat komerciale të librit mbi verifikimin e saktësisë së deklaratave të publikuara, duke vlerësuar se ky argument nuk ishte i mjaftueshëm për të mbështetur padinë.

Me këtë vendim, Morgan Carey nuk arriti të sigurojë kompensimin prej 20 milionë dollarësh që kishte kërkuar nga motra e tij.

Latest from Blog

Go toTop