Ramush Haradinaj ka reaguar ashpër pas vendimit të komisionit për të mos përkrahur amendamentin që parasheh ndarjen e 1 milion eurove shtesë për proteza dhe pajisje mjekësore për invalidët e luftës.
Kreu i AAK-së e ka cilësuar të papranueshme që personat që kanë sakrifikuar gjymtyrët dhe shëndetin për lirinë e Kosovës të mbeten, sipas tij, pa mbështetjen e nevojshme institucionale.
Përmes një reagimi, Haradinaj theksoi se sigurimi i protezave për invalidët e luftës është përgjegjësi e shtetit dhe jo një përfitim që duhet të varet nga ndihma e të tjerëve.
“Proteza për një invalid të luftës nuk është luks, por domosdoshmëri. Këto pajisje duhet të ndërrohen periodikisht, ndërsa kostoja e tyre është e papërballueshme për shumë prej tyre. Është detyrim i shtetit që t’ua sigurojë, e jo t’i lërë të kërkojnë ndihmë te miqtë dhe bashkatdhetarët në diasporë”, ka shkruar Haradinaj.
Amendamenti për 1 milion euro shtesë nuk kalon
Amendamenti, i propozuar nga komisioni përgjegjës për mirëqenie sociale, punë, familje, vlerat e luftës çlirimtare, viktimat e dhunës seksuale të luftës dhe personat e pagjetur, nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme.
Në votim, pesë anëtarë u shprehën pro, asnjë kundër, ndërsa pesë të tjerë abstenuan. Si rrjedhojë, propozimi për ndarjen e mjeteve shtesë nuk u përkrah.
Murati: Çështja është e rregulluar me udhëzim administrativ
Ministri i Financave, Hekuran Murati, kundërshtoi nevojën për një amendament të tillë, duke argumentuar se mbulimi i kësaj çështjeje është rregulluar tashmë përmes një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas Muratit, udhëzimi i miratuar në mars të vitit 2024 parasheh mbulimin përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
“Pra, është miratuar udhëzimi nga Ministria e Shëndetësisë, kështu që kjo çështje tashmë ka zgjidhje, nuk e shoh që është e nevojshme të bëhet një amendament i tillë”, deklaroi Murati.
Debati për financimin e protezave dhe pajisjeve mjekësore për invalidët e luftës rikthen në vëmendje çështjen e mbështetjes institucionale për këtë kategori dhe mënyrën se si sigurohet mbulimi i nevojave të tyre shëndetësore.