October 22, 2026
1 min read

Abdixhiku: Na quajtët tradhtarë dhe kundërshtarë të UÇK-së, por historia do të flasë për qëndrimet e LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas zhvillimeve rreth Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke kritikuar ashpër akuzat dhe gjuhën e përdorur ndaj partisë së tij.

Abdixhiku ka deklaruar se LDK-ja është përballur me fyerje dhe etiketime si tradhtare, madje edhe me akuza se ishte kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Na fyet, na shpallët tradhtarë, shkuat aq larg sa e paraqitët LDK-në si kundërshtare të UÇK-së. I vendosët edhe emrat tanë përkrah atyre të Listës Serbe, sepse thamë atë që nuk donit ta dëgjonit; të vërtetën”, ka deklaruar Abdixhiku.

Abdixhiku mbron qëndrimin e LDK-së

Kreu i LDK-së ka vlerësuar se ligji në fjalë nuk kishte dhe nuk do të ketë efekt juridik, duke theksuar se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrim, pavarësisht kritikave dhe sulmeve të drejtuara ndaj saj.

Sipas Abdixhikut, përgjegjësia ndaj shtetit kërkon qëndrime të bazuara në bindje, edhe kur ato shkaktojnë reagime dhe kundërshtime politike.

“LDK e mbajti qëndrimin e vet, duke e ditur çmimin e sulmeve që do të pasonin. Sepse përgjegjësia ndaj Republikës na obligon ta themi atë që besojmë se është e drejtë, edhe kur është më e lehtë t’i bashkohesh zhurmës”, ka shkruar ai.

Reagimi i Abdixhikut vjen në kohën kur po vazhdon debati politik rreth Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe kërkesave për rishqyrtimin e tij në Kuvend.

Latest from Blog

Go toTop