Gjatë muajve qershor dhe korrik në Kosovë janë raportuar 55 raste të të shtënave festive, kryesisht gjatë dasmave dhe ahengjeve familjare.
Në lidhje me këto raste, Policia e Kosovës ka shoqëruar 48 persona, ndërsa gjatë intervenimeve janë konfiskuar 47 armë zjarri.
Ministria e Punëve të Brendshme ka vlerësuar bashkëpunimin e qytetarëve që kanë raportuar të shtënat, duke i bërë thirrje publikut që të vazhdojë të njoftojë autoritetet për raste të tilla.
Thirrja është bërë në kuadër të fushatës “Festo me zemër, jo me armë”, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin për rreziqet që mund të shkaktojë përdorimi i pakontrolluar i armëve gjatë festimeve.
Sipas MPB-së, qëllimi kryesor është parandalimi i keqpërdorimit të armëve dhe garantimi i një ambienti më të sigurt gjatë dasmave dhe organizimeve familjare.