Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim drejtoreshën e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, Nancy Soderberg, me të cilën ka diskutuar për prioritetet legjislative dhe avancimin e barazisë gjinore.
Gjatë takimit është biseduar për mbështetjen që NDI pritet t’i ofrojë Institutit Parlamentar, si dhe për hartimin e ligjeve që marrin parasysh në mënyrë të barabartë nevojat dhe përvojat e grave dhe burrave.
Haxhiu ka falënderuar Soderberg për angazhimin e saj dhe për përkrahjen që NDI i ka dhënë Kuvendit ndër vite, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit.
Ajo ka theksuar se forcimi i institucioneve të Kosovës lidhet ngushtë me shkëmbimin e njohurive, përvojave profesionale dhe krijimin e partneriteteve të qëndrueshme.
“Besoj se ligjet e mira fillojnë nga njohja e mirë e nevojave të qytetarëve. Prandaj, është e rëndësishme që Kuvendi të ketë kapacitete të fuqishme profesionale dhe që barazia gjinore të jetë pjesë e vetë procesit të hartimit dhe shqyrtimit të ligjeve”, ka deklaruar Haxhiu.
Takimi u fokusua në rëndësinë e përfshirjes së perspektivës gjinore në procesin ligjvënës dhe në forcimin e kapaciteteve parlamentare për hartimin e ligjeve që adresojnë nevojat e të gjithë qytetarëve.