Protesta e zhvilluar në Tiranë është shoqëruar me tensione, ndërsa protestuesit dyshohet se kanë përdorur një mënyrë të pazakontë për të transportuar koktejet molotov pa rënë në sy të policisë.
Të rinjtë janë mbledhur fillimisht në zonën e Rrugës së Durrësit, ku në fillim protesta është zhvilluar paqësisht. Më pas, situata është përshkallëzuar, pasi protestuesit kanë nisur të hedhin gurë në drejtim të Ministrisë.
Përballë këtyre veprimeve, policia ka ndërhyrë duke përdorur ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Ndërkohë, gjatë protestës është raportuar se disa prej të rinjve kishin marrë me vete kokteje molotov, të cilat dyshohet se i kishin fshehur në qese kroasanësh, me qëllim që të shmangnin vëmendjen e efektivëve gjatë rrugës drejt tubimit.
Situata në kryeqytet ka mbetur e tensionuar, ndërsa protesta është shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të policisë.