October 15, 2026
1 min read

Izraeli pengon ndërtimin e bazës për trupat ndërkombëtare në Gaza, përfshirë ushtarët nga Kosova

Plani për vendosjen e një force ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza, i mbështetur nga Bordi i Paqes i presidentit amerikan Donald Trump, po përballet me pengesa, pasi Izraeli nuk po lejon nisjen e punimeve për ndërtimin e një baze ku do të qëndronin trupat ndërkombëtare, përfshirë ushtarë nga Kosova dhe Maroku.

Baza e paraparë do të shërbente për akomodimin e përkohshëm të rreth 150 ushtarëve ndërkombëtarë. Ata do të ishin pjesë e një kontingjenti më të gjerë prej 500 trupash nga Kosova dhe Maroku, të angazhuar në kuadër të planit për stabilizimin e situatës në Gaza.

Kontrata për realizimin e projektit i është dhënë në gusht kompanisë amerikane Arkel International, me seli në Luiziana. Megjithatë, edhe pas dy muajsh, punimet nuk kanë nisur, pasi autoritetet izraelite nuk po lejojnë hyrjen në Gaza të kontraktuesve dhe automjeteve të transportit të nevojshme për ndërtimin.

Sipas një personi të njohur me çështjen, projekti nuk mund të ecë përpara pa miratimin e Izraelit, i cili deri më tani nuk ka lejuar vazhdimin e procedurave në terren.

Plani parasheh ndërtimin e një baze të përkohshme, të fortifikuar, me përmasa rreth 100 me 100 metra. Lokacioni i përzgjedhur është një hapësirë që më herët ishte shfrytëzuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës.

Vonesat në realizimin e projektit po pengojnë përgatitjet për vendosjen e trupave ndërkombëtare, të cilat parashihet të marrin pjesë në misionin e stabilizimit në territorin palestinez.

Latest from Blog

Go toTop