Një ditë e tensionuar është zhvilluar sot në Kuvendin e Kosovës, ku përplasjet mes deputetëve kanë kaluar nga debatet verbale në shtyrje, akuza dhe incidente fizike.
Deputetët e PDK-së dhe AAK-së u mblodhën në sallën plenare duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe thirrjen e saj nga kryesuesi Avni Dehari.
Në të njëjtën kohë, Kuvendi kishte hapur dyert për mërgimtarët, të cilët mund të vizitonin sallën plenare gjatë orarit të caktuar. Në ambientet e Kuvendit ndodheshin edhe deputetë të LVV-së, përfshirë ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.
Prania e Haxhiut u shoqërua me përplasje të menjëhershme me deputetët e PDK-së. Sala Jashari dhe ajo patën shkëmbim të ashpër, ndërsa kërkesa kryesore e deputetëve të opozitës ishte e njëjtë: “Thirreni seancën”.
Gjatë debatit, Haxhiu deklaroi se LVV-ja “e ka fuqinë”, ndërsa Jashari iu përgjigj se fuqia duhet të shoqërohet me përgjegjësi dhe punë.
Më pas, Donika Gërvalla, Ardian Gola, Adnan Rrustemi dhe Vigan Qorrolli kanë kërkuar takime dhe marrëveshje politike, duke argumentuar se një marrëveshje do të mundësonte shmangien e zgjedhjeve të reja.
Tensionet u rritën edhe më tej gjatë debatit mes Arbërie Nagavcit dhe deputetes së AAK-së, Albana Bytyqi. Në një moment, Bytyqi e ka shtyrë Nagavcin dhe i ka kërkuar të largohet nga salla.
Përplasje tjetër ka ndodhur mes Ardian Golës dhe Ganimete Musliut. Debati mes tyre është shoqëruar me ngritje zëri, akuza dhe hedhje të ujit në drejtim të Golës.
Musliu e ka quajtur Golën “kriminel”, duke pretenduar se ai dhe deputetë të tjerë të LVV-së kanë shkelur Kushtetutën.
Situata është tensionuar edhe më shumë kur Musliu është përplasur me një pjesëtar të sigurimit, pasi kishte hedhur ujë në drejtim të Arbërie Nagavcit.
“Hera e parë dhe e fundit që më prekë”, i ka thënë Musliu pjesëtarit të sigurimit.
Në një tjetër moment, përplasje ka pasur edhe mes deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, dhe deputetit të LVV-së, Adnan Rrustemi. Lushtaku e ka shtyrë Rrustemin, duke i kërkuar që të thërrasë vazhdimin e seancës, ndërsa deputetë të tjerë kanë ndërhyrë për t’i qetësuar.
Në gjithë këtë situatë janë përfshirë edhe mërgimtarët që ndodheshin në Kuvend. Disa prej tyre kanë shprehur qëndrime të ndryshme për zhvillimet politike.
Një prej tyre tha: “Do të vijë në Kosovë sa herë të më kërkojë baba”, ndërsa një qytetar tjetër ka shfaqur një pankartë në sallë me mbishkrimin “Kurti n’burg”.