Komandanti i misionit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Roberto Vergori, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri.
Gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor, i cili vazhdon të jetë një nga prioritetet e NATO-s. Prania e vazhdueshme e misionit të KFOR-it në Kosovë dëshmon përkushtimin e Aleancës ndaj sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Në kuadër të vizitës në Tiranë, gjeneralmajor Vergori është takuar gjithashtu me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji.
Takimet janë zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit dhe komunikimit të vazhdueshëm me partnerët rajonalë, me synim forcimin e marrëdhënieve dhe koordinimit për çështjet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.