Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka diskutuar për themelimin dhe zhvillimin e Xhandarmërisë së Kosovës gjatë një takimi me përfaqësues të lartë të Karabinierëve italianë, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Itali.
Sveçla u prit në Komandën e Përgjithshme të Karabinierëve italianë nga shefi i shtabit të kësaj komande, gjenerali Andrea Taurelli Salimbeni.
Gjatë takimit, ministri prezantoi progresin e Kosovës në fushën e sigurisë dhe shprehu mirënjohjen për kontributin e pjesëtarëve të Karabinierëve në mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe ruajtjen e paqes e stabilitetit në vend.
Xhandarmëria, prioritet i Qeverisë së Kosovës
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte themelimi dhe zhvillimi i Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, projekt të cilin Qeveria e ka përcaktuar si prioritet dhe për të cilin Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur veprimet për realizim.
Në këtë drejtim, palët kanë shqyrtuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit, me fokus në shkëmbimin e përvojave, ekspertizës profesionale dhe zbatimin e standardeve më të mira për zhvillimin e kësaj strukture të sigurisë.
Karabinierët italianë, me një traditë mbi 212-vjeçare, konsiderohen një prej institucioneve të konsoliduara të sigurisë në Evropë, me përvojë të gjerë në operacionet ndërkombëtare dhe në ruajtjen e stabilitetit.
Sveçla: Bashkëpunimi ndërkombëtar forcon sigurinë
Ministri Sveçla ka theksuar rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare në ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e mëtejshëm të sigurisë në Kosovë.
Sipas tij, shkëmbimi i përvojave dhe bashkëpunimi me institucionet me ekspertizë të dëshmuar janë të rëndësishme për zhvillimin e strukturave të sigurisë dhe përmbushjen e standardeve profesionale.
Thellimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbetet pjesë e përpjekjeve për garantimin e sigurisë, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës.