October 22, 2026
2 mins read

Kurti kërkon kandidaturën për BE dhe anëtarësimin në NATO: Sulmet ndaj Kosovës kërkojnë përgjigje evropiane

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të hapen negociatat për anëtarësim, duke ritheksuar njëkohësisht synimin e vendit për t’u anëtarësuar në NATO.

Gjatë fjalimit të tij në Samitin e Procesit të Berlinit, në Budva të Malit të Zi, Kurti ka deklaruar se Kosova është e përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe se në politikën e jashtme vepron në përputhje me parimet e një vendi anëtar të BE-së.

Ai ka theksuar se anëtarësimi në NATO do të ishte thelbësor edhe për sigurinë e Kosovës dhe parandalimin e kërcënimeve ndaj saj.

Kurti akuzon Serbinë për metoda armiqësore ndaj Kosovës

Në fjalën e tij, kryeministri ka kritikuar Serbinë, duke e akuzuar për përdorimin e metodave armiqësore ndaj Kosovës, të cilat i ka krahasuar me ato të Rusisë.

Ai ka përmendur sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë.

Kurti ka vënë në pah edhe faktin se Milan Radoiçiq, të cilin e ka cilësuar si përgjegjës për sulmin në Banjskë, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

“Në Kosovë, një fqinj ka përdorur të njëjtat metoda, për të njëjtat qëllime, kundër shtetit tonë. Muajin e kaluar u bënë tre vjet nga sulmi terrorist në fshatin verior, Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë sonë, Afrim Bunjaku”, ka deklaruar Kurti.

“Sulmi ndaj një demokracie evropiane është sulm ndaj gjithë Evropës”

Kryeministri ka kërkuar që sulmet ndaj Kosovës të mos trajtohen si incidente të izoluara, por si çështje që prek sigurinë e gjithë Evropës.

Sipas tij, reagimi ndërkombëtar duhet të jetë i përbashkët dhe i orientuar drejt parandalimit të sulmeve të ngjashme në të ardhmen.

“Sulmi ndaj një demokracie evropiane është sulm ndaj gjithë Evropës dhe meriton përgjigje kolektive, sepse reagimi që ndërtohet rast pas rasti nuk është parandalues. Për Kosovën anëtarësimi në NATO sjell edhe parandalimin”, ka thënë ai.

Kurti ngre shqetësimin për shqiptarët në Luginën e Preshevës

Gjatë samitit, Kurti ka ngritur edhe çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke u bërë thirrje përfaqësuesve të pranishëm që t’i kushtojnë më shumë vëmendje gjendjes së tyre.

Ai ka pretenduar se shqiptarët në këtë rajon po përballen me përjashtim gradual nga institucionet dhe jeta publike në Serbi.

“Ju bëj thirrje të shikoni nga afër Luginën e Preshevës, ku shqiptarët, hap pas hapi, po shtyhen jashtë institucioneve, jetës publike e qytetare, derisa qëndrimi po bëhet shumë më i vështirë sesa largimi. Dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut janë të parat në mesin e vlerave që duhet t’i ndajmë së bashku”, ka përfunduar Kurti.

Latest from Blog

Go toTop