Që nga ngjarja tragjike me tri viktima në fshatin Majac të Podujevës, vazhdojnë të jepen versione të ndryshime për rastin.
Njëri prej anëtarëve të familjes Gashi, që ka dashur të mbetet anonim, është prononcuar për KlanKosovën.
Ai ka mohuar disa prej versioneve që janë raportuar që nga mbrëmja e së dielës, kur edhe ka ndodhur rasti.
I njëjti ka thënë se si familje asnjëherë nuk kanë pasur telashe, derisa ka shtuar se nuk kanë qenë në dijeni për lidhjen e të dyshuarës, Ardita Gashi, me tashmë të ndjerin, Ilaz Brahimi, 45-vjeçar nga Obiliqi.
Familjari ka dhënë detaje tjera lidhur me momentin kur më pas e dyshuara, pas aktit, ishte mbyllur në dhomë.
“Pasi e ka gjuajtur atë djalin, ka shku te inxhja Miradi. Ajo ka qenë bashkë me renë dhe tre fëmijët. [Ardita] iu ka thënë të dalin jashtë sepse ka me bisedu diçka me inxhen. Si kanë dalë nga dhoma, është dëgju krisma. Ne kemi vrapu menjëherë, e ajo është mbyll në dhomë të fëmijëve. Kur ka tentu me hy vëllai, ajo ia ka drejtuar vetes armën dhe i ka thënë largohu se të vrasë edhe ty”, u shpreh ai.
Ai ka thënë se në rastin tragjik, 31-vjeçarja ka përdorur revole, duke hedhur poshtë pretendimet se e dyshuara ka qëlluar në drejtim të Brahimit dhe gruas së axhës me armë automatike.
Mbrëmjen e 22 marsit, 31-vjeçarja, Ardita Gashi dyshohet se privoi nga jeta Ilaz Brahimin, kurse e plagosur kishte mbetur edhe Miradije Gashin, por e cila vdiq më pas mëngjesin e së hënës, derisa po trajtohej në QKUK.
Poashtu, edhe Ardita Gashi po trajtohej në QKUK, pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, si pasojë e vetëplagosjes. Por, as ajo nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe vdiq mëngjesin e së hënës.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala deklaroi se gjithçka kishte nisur si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarës kryesore dhe 45-vjeçarit.