January 5, 2026
1 min read

Lëndimet nga mjetet piroteknike, 6 pacientë të hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se në Klinikën e Kirurgjisë Plastike të QKUK-së, gjatë festave të fundvitit, është trajtuar një numër i konsiderueshëm pacientësh të lënduar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike.

Në njoftimin e ShSKUK-së thuhet se pjesa më e madhe e të lënduarve janë fëmijë dhe adoleshentë.

“Rastet e trajtuara në këtë klinikë kanë qenë kryesisht lëndime të duarve, veçanërisht të gishtërinjve, të cilat në disa raste kanë përfunduar me amputime të pjesshme apo të plota, si dhe me dëmtime serioze funksionale të aparatit tendinoz (tendinave te gjishtrinjëve të duarve). Po ashtu, janë regjistruar edhe lëndime në regjionin e fytyrës, të cilat kërkojnë trajtim të specializuar dhe mund të lënë pasoja estetike dhe funksionale afatgjata”, thuhet në njoftim.

ShSKUK gjithashtu bëri të ditur se aktualisht, gjashtë pacientë janë të hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike për shkak të lëndimeve shumë të rënda të duarve, të cilat kërkojnë mjekim të mëtejmë dhe trajtim të specializuar.

“Këto lëndime shpesh shoqërohen me pasoja të përhershme funksionale dhe psikologjike, si dhe kërkojnë ndërhyrje të shumta kirurgjikale dhe rehabilitim afatgjatë. Klinika e Kirurgjisë Plastike u bën thirrje prindërve, kujdestarëve dhe institucioneve përkatëse që të rrisin kontrollin dhe ndërgjegjësimin lidhur me rreziqet e përdorimit të mjeteve piroteknike, veçanërisht nga fëmijët”, thuhet në njoftim.

Latest from Blog

Go toTop