Mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e disa qyteteve të Shteteve të Bashkuara, në kuadër të protestave mbarëkombëtare “No Kings” (Jo mbretërve), për të kundërshtuar politikat e presidentit Donald Trump dhe për të kërkuar respektimin e të drejtave të barabarta.
Demonstratat u zhvilluan në qytete si Uashingtoni, Los Angeles dhe South Portland në shtetin e Maine, ku pjesëmarrësit shprehën pakënaqësitë e tyre përmes marshimeve dhe pankartave me mesazhe politike.
Në kryeqytetin amerikan, protestuesit bartën një figurë të presidentit Trump të punuar me letër, pranë Memorialit të Lincolnit. Ndërkaq, në Los Angeles, turma të shumta u mblodhën para ndërtesës së bashkisë, ku vëmendje tërhoqi edhe një protestues i veshur si personazhi i njohur Batman.
Një pjesë e pankartave u përqendruan te zgjedhjet e mesmandatit, me thirrje drejtuar qytetarëve që të votojnë sa më herët.
Në South Portland, demonstruesit u rreshtuan përgjatë rrugës, ndërsa disa shoferë shprehën mbështetjen e tyre duke u rënë borive të automjeteve.
Gjatë tubimeve, pjesëmarrësit kërkuan mbrojtjen e të drejtave të barabarta dhe kundërshtuan atë që e konsiderojnë përqendrim të tepruar të pushtetit në duart e presidentit.
Disa protestues kërkuan gjithashtu që Agjencia e Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) t’i japë fund veprimtarisë së saj.
Lëvizja “No Kings” përfaqëson një mobilizim qytetar kundër politikave të administratës Trump, me organizatorët që synojnë të kundërshtojnë, sipas tyre, tejkalimin e kompetencave presidenciale dhe të mbrojnë parimet demokratike.