Gjashtëmbëdhjetë personat e arrestuar pas protestës së 13 tetorit në Tiranë pritet të paraqiten të premten para Gjykatës Penale të kryeqytetit, ku do të shqyrtohet masa e sigurisë ndaj tyre.
Të arrestuarit dyshohen për një sërë veprash penale, mes tyre goditje për shkak të detyrës, prishje të rendit dhe qetësisë publike, shkelje të rregullave për lëndët plasëse dhe djegëse, vjedhje, shkatërrim të pronës dhe zjarrvënie. Po ashtu, ndaj tyre rëndojnë dyshime për kundërshtim të punonjësve të rendit publik dhe mbajtje, blerje apo shitje të armëve të ftohta pa leje.
Ndërkohë, protesta e studentëve ka hyrë në ditën e tretë, me bojkotimin e procesit mësimor në gjimnaze dhe fakultete në Tiranë, si dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Protestat vijnë pas përplasjeve të së mërkurës në kryeqytet, ku u raportuan incidente të dhunshme, zjarre dhe dëmtime materiale në rrugë, institucione dhe biznese.
Për shkak të situatës së krijuar, deputetët kanë anuluar seancën plenare që ishte paraparë të mbahej këtë të enjte.
Pas zhvillimeve të fundit ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka akuzuar opozitën se po tenton të pengojë rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Ai ka theksuar se vendi nuk do të bëjë hapa prapa në procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian.