Një 19-vjeçar është ndëshkuar nga Policia e Kosovës pasi është kapur duke vozitur me shpejtësi prej 138 km/h në një zonë ku kufizimi ishte 50 km/h.
Rasti ka ndodhur në fshatin Lloshkobare të Ferizajt, gjatë kontrolleve të shtuara të Njësisë së Komunikacionit Rrugor.
Shoferi, me inicialet A.B., ishte duke drejtuar një veturë VW Golf kur u ndalua nga zyrtarët policorë. Shpejtësia është matur përmes radarit të veturës së Policisë.
Për këtë shkelje, 19-vjeçari është dënuar me 300 euro gjobë, 3 pikë negative, ndërsa i është shqiptuar edhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit për tre muaj.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet e shtuara në trafik, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e shkeljeve.