Policia ka bërë të ditur se në Kaçanik janë raportuar dy raste të veprave penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhje e rëndë në tentativë”, të ndodhura në rrugën “Idriz Seferi”.
Pas pranimit të njoftimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa hetuesit kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin, një 21-vjeçar me inicialet I.R.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku gjatë intervistimit, në praninë e avokatit mbrojtës, ka pranuar përfshirjen në dy rastet e raportuara, si dhe në një rast tjetër të “Vjedhjes së rëndë”, i cili ishte denoncuar më 8 korrik.
Sipas policisë, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin e shtetit. Pas përfundimit të procedurave ligjore, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.