Gjatë katër ditëve të protestave në Tiranë, 156 persona kanë mbetur të lënduar, përfshirë 97 pjesëtarë të Policisë, 45 protestues dhe 12 kalimtarë të rastit.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Demo, ka bërë të ditur se në mesin e të lënduarve janë edhe katër të mitur.
Ai u ka uruar shërim të shpejtë të gjithë personave të lënduar, ndërsa ka dënuar përfshirjen e fëmijëve në akte dhune. Demo u ka bërë thirrje prindërve që të mos lejojnë pjesëmarrjen e të miturve në përplasjet politike.
Duke folur për personat e arrestuar dhe ata ndaj të cilëve janë nisur procedura penale për veprime të dhunshme, ministri ka deklaruar se numri i studentëve në mesin e tyre është shumë i vogël.
Demo ka kritikuar organizatorët e protestave, duke i akuzuar se po e përdorin dhunën në funksion të përplasjeve politike.
Ai ka theksuar gjithashtu se zhvillimet e fundit nuk duhet të pengojnë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.