August 30, 2026
2 mins read

27 vjet pritje për të vërtetën: Varrezat masive në Zubin Potok rikthejnë shpresën te familjet e 23 të zhdukurve

Zbulimi i varrezave masive në Kalludër të Vogël dhe Jabukë të Zubin Potokut ka rikthyer shpresën, por edhe ankthin, te familjet e 23 shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të njohur si “grupi i intelektualëve”.

Në mesin e tyre është edhe Idriz Rrecaj, veprimtar politik dhe i dekoruar më 2019 si “Hero i Kosovës”, i cili rezulton i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999.

Për vajzën e tij, Flora Rrecaj, pritja prej 27 vjetësh ka qenë e mbushur me kërkime në lista burgjesh, dëshmi dhe informacione për lokacione ku dyshohej se mund të ndodheshin mbetje mortore.

“Babai im nuk ka qenë vetëm prindi ynë. Ka qenë intelektual i shquar, patriot dhe një person që krejt jetën ia ka kushtuar këtij vendi dhe këtyre njerëzve”, ka rrëfyer Flora.

Familja, në mungesë të një varri, e ka pasur bustin e Idriz Rrecajt në Skenderaj si një nga vendet e vetme ku mund ta kujtonte dhe nderonte atë.

Tashmë shpresa është përqendruar në Zubin Potok, ku autoritetet kanë zbuluar mbetje mortore në disa lokacione. Dyshimet fillestare janë se ato mund t’u përkasin 23 shqiptarëve të zhdukur, ndërsa procesi i zhvarrimit ka përfunduar më 21 gusht.

Megjithatë, familjet duhet të presin rezultatet e analizave të ADN-së për të mësuar me siguri identitetin e viktimave.

Mostrat e marra nga mbetjet mortore dërgohen për analiza në laboratorin e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur në Hagë, ku krahasohen me profilet e ADN-së të familjarëve.

Procesi mund të zgjasë me muaj dhe, në raste më të ndërlikuara, edhe më gjatë, varësisht nga gjendja e mbetjeve, cilësia e ADN-së dhe mostrat referuese të familjarëve.

Për familjen Rrecaj, shpresa për një përgjigje përfundimtare shoqërohet edhe me frikën se mbetjet e Idrizit mund të mos jenë mes atyre të zbuluara.

“Janë ndjenja të përziera. Janë ndjenjat e dhimbjes, shpresës, por edhe të frikës. Pas kaq shumë vitesh, tash e ke një frikë prej përgjigjes. Por është e domosdoshme të dihet e vërteta”, është shprehur Flora.

Në mesin e 23 të zhdukurve ishte edhe kirurgu Adem Ademi. Familja e tij, sikurse familjet e tjera, tashmë pret analizat që mund t’i japin fund një kërkimi gati trid dekadash.

Sipas të dhënave të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1,577 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur nga lufta e viteve 1998–1999, ndërsa janë dokumentuar 12,230 viktima.

Për familjet, pas kaq shumë vitesh, kërkesa mbetet e njëjtë: të mësojnë të vërtetën dhe të kenë më në fund një vend ku t’i prehin e t’i nderojnë të afërmit e tyre.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop