Lazër Bashi ka arritur të mbijetojë pas një sulmi të armatosur në Dukagjin, ku Prelë dhe Lekë Gjoni, babë e bir, mbetën të vrarë brenda automjetit të tyre.
Sipas të dhënave paraprake, Bashi ndodhej në pjesën e pasme të fuoristradës kur ndaj automjetit u hap zjarr. Ai u shtri në makinë për t’u mbrojtur dhe, megjithëse mbijetoi, u qëllua në shpatull.
Pas përfundimit të të shtënave, ai qëndroi për disa minuta brenda automjetit dhe tentoi të kërkonte ndihmë përmes telefonit. Megjithatë, në zonën ku kishte ndodhur sulmi nuk kishte mbulim të rrjetit.
I plagosur, Bashi vendosi të largohej në këmbë. Për rreth 40 minuta ai përshkoi afro dy kilometra në terren të vështirë, derisa arriti pranë një lokali në zonën ku kryqëzohen rruga e Pultit me atë të Shoshit, ku arriti të kapte sinjal telefonik.
Ai kontaktoi një të afërm dhe i tregoi për ngjarjen, ndërsa gjatë rrugës ndaloi edhe pranë një çezme, ku pastroi plagën.
Më pas u dërgua në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe, për shkak të humbjes së gjakut dhe nevojës për trajtim të specializuar, u transferua në Spitalin e Traumës në Tiranë. Sipas informacioneve, gjendja e tij tashmë është jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet kanë zbuluar se sulmi dyshohet të jetë kryer me dy armë zjarri, një kallashnikov dhe një MP5. Në drejtim të fuoristradës dyshohet se janë shkrepur më shumë se 50 plumba.
Prelë dhe Lekë Gjoni po udhëtonin drejt Shkodrës pasi kishin qëndruar në banesën e tyre të vjetër në Dukagjin, ku mbanin edhe koshere bletësh. Ata u sulmuan në rrugën e Xhanit.
Policia dhe Prokuroria e Shkodrës po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. Disa persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje, por deri tani nuk është identifikuar zyrtarisht asnjë autor.
Hetuesit po punojnë për përcaktimin e motivit, organizimin e pritës dhe identifikimin e personave përgjegjës për vrasjen e dyfishtë.