August 17, 2026
2 mins read

48 orë gjurmim nga ajri, më pas RENEA e rrethon: Si u kap Ylli Zalla pas muajsh në kërkim

Një operacion i posaçëm i Policisë së Tiranës është zhvilluar për rreth 48 orë në zonën kodrinore të Fushë-Krujës, konkretisht në fshatin Zallë, me objektiv lokalizimin dhe arrestimin e Ylli Zallës, i cili prej muajsh ishte në kërkim të autoriteteve.

Zalla konsiderohej një prej personave më të kërkuar për dyshimet lidhur me mbajtjen e një sasie të madhe armësh në banesë. Për rreth tetë muaj, ai kishte arritur t’u shmangej autoriteteve dhe të bëhej një prej personave më sfidues për Policinë e Shtetit.

Sipas të dhënave për operacionin, ai qëndronte i rrethuar nga banesat e familjes Zalla në fshatin Zallë, pranë zonës së Fabrikës së Çimentos. Në të kaluarën, ai kishte arritur t’u shpëtonte dy aksioneve të forcave speciale RENEA, duke e bërë edhe më të vështirë kapjen e tij.

Pas këtyre operacioneve, Zalla ishte shfaqur në rrjetet sociale, përfshirë TikTok-un, si dhe në emisione televizive, ku kishte ngritur akuza ndaj zyrtarëve të Policisë. Ai kishte pretenduar se shefi i Krimeve të Komisariatit të Fushë-Krujës dhe drejtuesi i Komisariatit kishin tentuar ta eliminonin fizikisht.

Përveç këtyre pretendimeve, Zalla kishte bërë edhe akuza të tjera të rënda, duke deklaruar se Policia e Shtetit e kishte përfshirë në një konflikt gjakmarrjeje dhe se ishte lidhur padrejtësisht me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Rinas, ku u vranë Gilmando Dani dhe Mustafa Shaljani, i njohur edhe si Muçi Sheqeri.

Pikërisht pas kësaj periudhe të gjatë në kërkim dhe përballjesh me policinë, një skuadër e specializuar operacionale u angazhua për lokalizimin e tij.

Forcat policore u vendosën për 48 orë në kodrat përreth fshatit Zallë, duke kryer një operacion të kujdesshëm për përcaktimin e vendndodhjes së Zallës dhe kapjen e tij pa i dhënë mundësi për t’u larguar.

Pas lokalizimit, ai është mbajtur nën vëzhgim nga ajri gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, përmes një droni. Pasi u konfirmua pozicioni ku ndodhej, në zonë kanë ndërhyrë forcat speciale RENEA.

Zalla është rrethuar nga efektivët dhe, sipas të dhënave për operacionin, nuk ka pasur mundësi të largohej. Ai më pas është dorëzuar para forcave policore.

Gjatë ndërhyrjes, shumë pranë vendit ku ndodhej Zalla, RENEA ka gjetur dhe sekuestruar një armë automatike të tipit kallashnikov, së bashku me tre karikatorë të vendosur në trupin e armës.

Ndaj Ylli Zallës rëndojnë aktualisht akuza për “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municioneve”, “Armë shpërthyese”, “Mbajtje dhe përdorim të simboleve të policisë”, si dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Arrestimi i tij vjen pas një periudhe të gjatë kërkimi dhe dy aksioneve të mëparshme ku kishte arritur t’u shpëtonte forcave speciale.

Latest from Blog

Go toTop