Naldi është një nga emrat më të spikatur të momentit në skenën muzikore shqiptare, jo për paraqitjet publike, por për zërin e tij unik dhe për hitet që kanë shpërthyer në TikTok.
Edhe pse figura e tij mbetet disi misterioze dhe ai shfaqet rrallë në projekte vizuale, muzika e tij po arrin miliona dëgjime dhe po prek një audiencë të gjerë, sidomos tek të rinjtë.
Një ndër këngët më të dashura të tij, “Pse nuk gjej qetësi”, ka pushtuar TikTok-un dhe platformat e tjera sociale. Edhe pse në YouTube vjen vetëm përmes një videoje me animacion, balada e tij e brishtë ka prekur zemrat e dëgjuesve dhe është bërë një nga kolonat zanore më të shpërndara të momentit.
Naldi njihet edhe si bashkëpunëtor në hitin e padiskutueshëm të verës së kaluar, “Do Pi”, së bashku me Brunon, Luiz Ejllin dhe Lumi B. Megjithatë, edhe aty ai zgjodhi të mos shfaqej në klip, duke ruajtur identitetin e tij artistik të bazuar më shumë në muzikë sesa në imazh.