November 10, 2025
2 mins read

Përdhunimet dhe lindjet nga adoleshentet, arsyet tronditëse të braktisjes së fëmijëve

Tre foshnje nga Prishtina nuk patën fatin të rriten në përqafimin e prindërve të tyre.

Ato u braktisën gjatë periudhës janar–shtator të vitit 2025.

Njëra prej arsyeve ishte mosha e re e nënës, nën 18 vjeç.

Qendra për Punë Sociale në Prishtinë thotë se fëmijët janë vendosur në kujdestari, familje strehuese ose janë adoptuar.

Numri i rasteve të tilla thonë se ka rënë krahasuar me vitet e kaluara.

Në Viti, një foshnje dhe një adoleshent mbetën pa përkujdesje prindërore në të njëjtën periudhë. Sipas QPS-së së Vitisë, foshnja e porsalindur u la në spital. Ajo tashmë është vendosur në familje strehuese.

Në Gjakovë, dhimbja është edhe më e thellë. Në gusht të këtij viti, si pasojë e një përdhunimi, lindi një djalë. Tre muaj më vonë, ai u braktis. QPS thotq se për vogëlushin kujdeset një familje strehuese e Gjakovës. Në këtë komunë, rast i parafundit i braktisjes ishte në vitin 2020. Një fëmijë u kthye te nëna biologjike, e tjetri u adoptua. Pas atij viti nuk ka pasur më raste të tilla, deri në 2025-tën.

Nga Fushë Kosova, një tjetër histori prekëse. Mungesa e banimit, mospërkrahja familjare dhe vetëdijesimi i ulët shtynë një nënë ta braktisë djalin e saj gjashtëmuajsh. Foshnja është strehuar jashtë familjes biologjike.

Në tetor të këtij viti, Kiks Kosova raportoi për një nënë 28-vjeçare që i braktisi pesë fëmijët e saj. Më i madhi 12 dhe më i vogli vetëm 3 vjeç. Nëna 28-vjecare kishte deklaruar për Kiksin se ishte lodhur nga dhuna dhe zullumi i përditshëm për 11 vite martese. Andaj, vendosi të largohej përgjithmonë e të heq dorë nga të vegjëlit saj.

Në Lipjan, sivjet asnjë prind nuk hoqi dorë nga fëmija i tij. Por një vit më parë, një vajzë e lindur jashtëmartese u la në mëshirë të shtetit. Shtatzënia ishte e padëshiruar, babai e mohoi foshnjën, dhe prindërit e rinj vendosën ta vazhdojnë jetën pa të.

Sivjet, një nënë nga Ferizaj e lindi foshnjën në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK e më pas e braktisi. Babai i foshnjes ishte i panjohur. Sipas QPS-së në Ferizaj, fëmija është vendosur në një familje strehuese. Ndërkaq, bënë të ditur se edhe në vitin 2024 ka pasur vetëm një rast të brakstisjes së fëmijës.

Latest from Blog

Go toTop