Po vazhdon ende dëshmia e ish-ambasadorit Christopher Hill në mbrojtje të Hashim Thaçit në Hagë.
Ishte prokurori James Pace ai i cili pyeti dëshmitarin në lidhje me rëndësinë e Xhavit Halitit në UÇK-së, për pozitën e të cilit Hill tha se nuk ishte në dijeni.
“Disa njerëz më thanë që ishte në nivel shumë të lartë, disa më thanë që ishte shok me personat e rëndësishëm në UÇK. Nuk isha shumë i sigurt kush kishte të drejtë, por ai përfaqësonte dëshirën për të ndjekur pistat e propozuara”, deklaroi Hill.
Më pas, dëshmitari u pyet nga prokurori edhe në lidhje me një takim të zhvilluar asokohe në Junik.
“Ishte një takim me bujqit në Junik, të cilët i vizituam dhe i dëgjuam historitë e tyre, deri në momentin që një person që kishte një mjekër të madhe dhe të zezë i veshur me rroba ushtarake erdhi dhe doli në fotografi me ne”, zbuloi diplomati amerikan.
Ndër të tjera, nga Hill u kërkua të përgjigjej edhe nëse kishte pasur kontakt me anëtarë të UÇK-së.
Ai u përgjigj me: “Jo, kontakt të drejtpërdrejt, por disa persona nga ambasada të tjera, diplomatë tanë dhe anëtarë të shërbimeve inteligjente që kishin interes të gjenin kush ishte udhëheqja e UÇK-së, kanë pasur takime, dhe më kanë raportuar”.
“Sikurse e shpjegova, ai u bë pjesë e takimit pas fotografisë dhe pastaj u largua, askush nuk e mori seriozisht këtë person”.
“Nuk kishim organizuar një takim, fotografia e ambasadori Richard Holbrooke, i cili ishte i ulur ngjitur me këtë person, u shfaq gjithandej”, tha Hill.
Dëshmitari po ashtu përmendi edhe se si Millosheviq I kishte dërguar ambasadorit Holbrooke një njoftim pas takimit që kishte pasur me UÇK-në.
“Ai më kërkoi pastaj që të shkoja në Beograd dhe të përpiqesha të qetësoja situatën”.
Rreth takimit në Junik, Hill tregoi se ai u zhvillua në shtëpinë e kryetarit të kësaj komune.
“Ishte një shtëpi fshati, ne të gjithë u ulëm në tokë aty”.
Ndërsa në lidhje me personat që ishin ulur afër ambasadorit Holbrooke, diplomati amerikan tha: “Nuk më kujtohen emrat, dhe kush ka qenë aty. Megjithatë kam dëgjuar që bëhej fjalë për shqiptarë të cilët jetonin diku në Evropë dhe ishin kthyer në Kosovë”.