Ish-zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri ka thënë se nëna e të rrëmbyerit nga shteti i Serbisë në territorin e Kosovës, Dragana Vukashinoviq po kërkon vëmendje institucionale për fatin e birit të saj, Milan Vukashinoviq.
Vokrri përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se përgjegjësit për sigurinë kufitare (KFOR) do të duhej të interesoheshin për rastin.
“Dragana Vukashinoviq, nëna e zyrtarit tonë të rrëmbyer e të plagosur nga terroristët, Milan Vukashinoviq, kërkon vëmendje institucionale për fatin e të birit të saj. Sidomos përgjegjësit për sigurinë kufitare (KFOR) do të duhej të interesoheshin për rastin”, ka shkruar Vokrri.
Tutje Vokrri ka thënë se janë duke vazhduar kërcënimet e terroristëve ndaj serbëve të tjerë për t’i braktisur institucionet e Republikës së Kosovës dhe çfarëdo bashkëpunimi.
Avokati Ivan Niniq, i cili e përfaqëson familjen Vukashinoviq shprehu dyshime se në këtë rast mund të jetë e përfshirë edhe Ushtria e Serbisë.
Në Prokurorinë e Lartë në Prokuple të Serbisë, ai dorëzoi kallëzim penal për vrasje të rëndë në tentativë kundër pjesëtarëve të panjohur të Ushtrisë së Serbisë ose Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, si dhe kundër Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe.
Në vitin 2023, Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, ku u vra një polic kosovar. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Në kallëzimin penal, avokati Niniq tha se Millan Vukashinoviq kishte “traditë të gjatë të konfliktit personal me Millan Radoiçiqin” dhe se ekzistonin “arsye të justifikuara që i dëmtuari të rrëmbehej dhe të lihej pa jetë në rrethana të paqarta”.
Prokuroria e Lartë në Prokuple nuk dha asnjë deklaratë për këtë rast dhe nuk iu përgjigj as pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me të.