Personi që shihni në foto është Ylli Zalla në dy kohë, pronari i banesës në Nikël të Krujës ku u gjet arsenali i armëve, konkretisht 3 kallëpe tritol, 12 granata dore, 4 armë zjarri, 6 mijë fishekë, 5 bomba me telekomandë dhe mbi 2 kg kanabis.
Por kush është Ylli Zalla që dyshohet se ndihmoi qitësit në atentatin e Rinasit?

Sipas mediave në Tiranë, Ylli Zalla u shpall në kërkim nga Policia, pasi iu gjet arsenal armësh në banesën në Fushë-Krujë. Nga e njëjta banesë dyshohet se ka dalë edhe mjeti i autorëve të atentatit mafioz në Rinas, të cilët Zalla i ka ndihmuar për të siguruar edhe armët.
Zalla nuk është një emër i panjohur për blutë. Ai ka rënë në pranga edhe në vitin 2014 për prodhim të bombave artizanale.
Në ato kohë, Zalla dyshohej për lidhje me grupet terroriste të ISIS, që dërgonin shqiptarë për të luftuar në Siri.
Ai u arrestua, pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Krujë kishte caktuar ndaj tij masën e arrestit me burg për “Prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake” si dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Nuk dihet nëse ai është dënuar për këtë çështje.
Në këto foto më poshtë mund të shihni edhe ndryshimin drastik të tij ndër vite. Në këto foto, ai shfaqej me mjekër dhe pozonte edhe me kallash në duar.

Ylli Zalla i shpallur sot në kërkim ka qenë një nga të dyshuarit kryesorë të vrasjes së libanezit, Anuar Rizik, ngjarje e ndodhur në Tiranë pas Ambasadës Amerikane.
Qëllimi i vrasjes së zyrtarit të Fabrikës së Çimentos ishte pikërisht heqja dorë nga fabrika dhe pezullimi i punimeve deri në lidhjen e një kontrate dëmshpërblimi.
Operacioni i sotëm
Një arsenal armësh dhe lëndësh plasëse u zbulua sot në një banesë në fshatin Zall, Fushë-Krujë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Tracking”.
Gjatë kontrolleve, policia njoftoi se “u gjetën në këtë banesë: 3 kallëpe tritol; 12 granata dore sulmuese; sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë(mina); 3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë; 4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh; 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm; 2 kg e 25 gramë kanabis”.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, sipas policisë është shpallur në kërkim pronari i banesës, shtetasi Ylli Zalla 48 vjeç.
Punohet intensivisht për kapjen e tij, si dhe po hetohet me qëllim zbardhjen e lidhjes së mundshme që mund të ketë 48-vjeçari, me ngjarjen e ndodhur te rrethrrotullimi i Rinasit.
Operacioni “Tracking”, është ende në vijim në rrethin Krujë dhe po kryhet në kuadër hetimeve për zbardhjen e atentatit në rrethrrotullimin e Rinasit dy ditë më parë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.