November 19, 2025
1 min read

“Ka ardhur koha për një qeveri që punon, presidentja duhet ta caktojë datën e zgjedhjeve”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar qeverinë edhe pas mandatimit të dytë, duke thënë se vendi ka nevojë urgjente për zgjedhje të reja dhe një qeveri funksionale.

Hamza tha se me dështimin e dy mandatarëve të propozuar nga partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, është e qartë se qeveria aktuale ka humbur mbështetjen politike.

“Dështimi i njëpasnjëshëm i dy mandatarëve tregon qartë se qeveria aktuale e ka humbur mbështetjen politike. Shumica që doli nga zgjedhjet e fundit është treguar e paaftë t’i krijojë institucionet e reja, duke shkaktuar pasiguri institucionale, politike dhe shtetërore,” ka deklaruar Hamza.

Ai theksoi se zgjidhja e vetme për situatën aktuale janë zgjedhjet e reja, duke kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që ta caktojë datën sa më shpejt.

“Sot e kemi vetëm një rrugë të përgjegjshme përpara: zgjedhjet e reja. Presidentja e vendit duhet ta caktojë sa më shpejt datën e tyre, sepse mjaft kohë kemi humbur,” tha ai.

Hamza u shpreh se vetëm qytetarët, përmes votës, mund ta rikthejnë stabilitetin institucional.

“Qytetarët duhet ta rikthejnë stabilitetin institucional përmes votës së tyre, në mënyrë që ne të krijojmë një qeveri funksionale, reformuese dhe të përgjegjshme. Koha e fjalëve të mëdha ka përfunduar. Ka ardhur koha për një qeveri që punon,” ka theksuar kryetari i PDK-së.

Latest from Blog

Go toTop