Në Ambasadën e Kosovës në Berlin, u mbajt ceremonia e përfundimit të akademisë ushtarake trevjeçare në Gjermani të katër kadetëve të FSK-së.
Oficerët më të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës që diplomuan ishin: Nëntoger Shumëzim Karaqica, drejtimi ushtarak Logjistike/Mirëmbajtje, Nëntoger Arton Xhemajli në drejtimin ushtarak Logjistikë/ Furnizim, Nëntoger Xheladin Kurtaj në drejtimin ushtarak Xhenio Luftarake dhe Nëntoger Fatlum Agushi në drejtimin ushtarak IT ushtarake.
Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ministrisë Federale të Mbrojtjes së Gjermanisë, Forcave të Armatosura Gjermane (Bundeswehr), stafi i Ambasadës së Republikës së Kosovës, familjarë të kadetëve, mysafirë të nderit.
Me fjalë rasti u adresuan Atasheu i Mbrojtjes Kolonel Bekim Zejnullahu, Drejtori i Departamentit për bashkëpunim ndërkombëtar nga Ministria e Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Ajeti si dhe shefi i departamentit për bashkëpunim ndërkombëtar të Forcave të Armatosura Gjermane (Bundeswehr) Kolonel Christian Schmidt.
Me këtë rast u vlerësua mbështetja e vazhdueshme e Ministrisë së Mbrojtjes/Ushtrisë Gjermane në arsimimin dhe trajnimin e oficereve të FSK-së si dhe vlerës që i japim partneritetit me Forcat e Armatosura Gjermane, njofton kjo ambasadë.
“Bashkëpunimi midis Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, gjatë viteve ka luajtur një rol vendimtar në forcimin e kapaciteteve dhe profesionalizmit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Sot oficerët tanë të sap emëruar, bashkohen me trupën e oficerëve të FSK-së – të përgatitur, të aftë dhe të denjë për të udhëhequr trupat tona me nder, integritet dhe përkushtim”, thonë më tej nga kjo ambasadë.