Shqiptari Gino Mulliqi, anëtar i Këshillit Shqiptaro-Amerikan, ka dhënë lajmin e mirë për shpalljen e Mitrovicës së Veriut, si qytetin simotër të Wylie-s.
Iniciativa u prezantua nga Mulliqi, i cili është shqiptaro-amerikani i parë i zgjedhur ndonjëherë në detyrë publike në shtetin e Teksasiy.
Ai njoftoi se kryetari i Bashkisë së qytetit të Wylie, Matthew Porter, në emër të Këshillit të Qytetit dhe qytetarëve të komunitetit miratoi mbrëmë një shpallje ceremoniale që zyrtarizoi njohjen e Mitrovicës së Veriut, si qytetin e ri simotër të Wylie-së.
Sipas njoftimit zyrtar, shpallja vë në pah rëndësinë e forcimit të vullnetit të mirë ndërkombëtar, të shkëmbimeve kulturore dhe bashkëpunimit midis komuniteteve në të gjithë botën. Ajo thekson gjithashtu vlerat e përbashkëta të lirisë e demokracisë, të cilat të dy qytetet i konsiderojnë themel të zhvillimit dhe paqes afatgjatë.
Bazuar në dokumentin zyrtar, marrëdhënia synon të krijojë ura bashkëpunimi në fusha si kultura, arsimi dhe ekonomia, duke nxitur dialogun, pjesëmarrjen qytetare dhe respektin për dinjitetin njerëzor.
Zyrtarët theksuan se vendimi ka karakter tërësisht ceremonial dhe nuk krijon detyrime financiare për Qytetin e Wylie.
Me këtë akt, Wylie dhe Mitrovica e Veriut zyrtarizuan hapat drejt një bashkëpunimi të ri, duke shprehur pritshmëritë për mundësi të përbashkëta dhe një marrëdhënie që synon promovimin e lirisë dhe demokracisë për të gjitha komunitetet e përfshira.