Gjykata Supreme e ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditëses A.U.-F., e paraqitur kundër ndërmarrja publike “Termokos” Sh.A.
Supremja e ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar Rregulloren nr.1450/1, e datës 08.08.2024 për Organizimin dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ndërmarrjen Publike “Termokos”.
“Gjykata, pasi ka caktuar dhe mbajtur seancën e shqyrtimit gjyqësor me datë 12.11.2025, e ka shqyrtuar këtë konflikt administrativ në pajtim me nenin 58 dhe 59 të Ligji Nr. 08/L-182 Për Konfliktet Administrative, në praninë e palëve ndërgjyqëse”, thuhet në njoftim.
“Nga shkresat e lëndës dhe provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, rezulton se Ndërmarrja Publike ‘Termokos’, ka nxjerrë Rregulloren nr. 1450/1, e cila është nënshkruar nga kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes, i cili nuk është person i autorizuar në kuptim të dispozitave ligjore për miratimin e akteve nënligjore normative që përfshijnë organizimin dhe sistematizimin e brendshëm të vendeve të punës”, thuhet në njoftim.
Gjykata thekson se padia është e bazuar në ligj ndërsa akti nënligjorë i kontestuar është i nxjerrë pa kompetencë ligjore dhe në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë.