Anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës kanë shkarkuar Kryeprokurorin e Shtetit në detyrë, Besim Kelmendi, në një mbledhje të mbajtur paraditen e sotme.
Për këtë rast ka reaguar edhe Zyra e BE-së në Kosovë, e cila ka thënë se veprimi i sotëm pengon reformën e nevojshme në KPK.
“Shkarkimi i sotëm i Kryeprokurorit të Shtetit në detyrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës pengon reformën e vazhdueshme dhe të nevojshme të KPK-së dhe shpërfill parimet e sundimit të ligjit dhe detyrën ndaj qytetarëve”.
Zyra e Bashkimit Evropian tha po ashtu se shkarkimi i UD Kryeprokurorit të Shtetit “minon progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së”.
Për shkarkimin e tij ka reaguar edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili ka thënë se ky vendim është i “paligjshëm, arbitrar dhe abuziv” që është marrë nga një pjesë e anëtarëve të KPK-së.
“Në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, kjo mënyrë e veprimit, përveç se e kundërligjshme, është haptazi kapje e institucionit, në kuptimin literal të saj”, u tha mes tjerash në reagimin e IKD-së.
Edhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur shqetësim mbi zhvillimet në takimet e sotëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) pas shkarkimit të U.d Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
GLPS tha se vendimet për shkarkimin e tij dhe caktimi në këtë pozitë i prokurorit Agron Qalajt, janë në kundërshtim të plotë me Ligjin për KPK-në dhe Rregulloren për Organizimin dhe Veprimtarinë e KPK-së.
Besim Kelmendi është shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës, propozimi për shkarkimin e Kelmendit u miratua me pesë vota për, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Klankosova.tv.
Në vend të Kelmendit, si u.d Kryeprokuror i Shtetit u caktua Agron Qala.
Derisa, gjatë diskutimit pas propozimit për t’u futur në rend dite shkarkimi i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi dhe katër anëtarë të tjerë të Këshillit Prokurorial të Kosovës lëshuan mbledhjen, duke thënë se po tentohet shkatërrimi i sistemit.