Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka konsideruar injorim shtetëror veprimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili, u tha se nuk e ka njoftuar dhe as nuk e ka marrë me vete ambasadorin e Kosovës në Vatikan, Vehbi Miftari.
Përmes një reagimi në Facebook, Hoti tha se mosinformimi i kreut të misionit diplomatik është mungesë e kulturës shtetërore, duke shtuar se një veprim i tillë përbën edhe përbuzje ndaj shtetit të Kosovës.
“Kjo nuk është asgjë e re. Kështu ka vepruar ky dhe vartësit e tij në vazhdimësi.
Shumë mund është bërë që shteti i Kosovës ta ketë të dërguarin e vet në Selinë e Shenjtë dhe gjithandej nëpër botë.
Injorimi i Ambasadorit të Kosovës është injorim i shtetit të Kosovës.
Këtij përbuzësi të shtetit të Kosovës duhet dhënë përgjigjen më 28 dhjetor”, shkroi Hoti.