November 24, 2025
1 min read

Video-incizimi që përfshin edhe pamjet para shtëpisë së Naim Murselit shfaqet në seancën tjetër

Sesioni i pasdites në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, është ndërprerë, në mënyrë që Prokuroria t’i shkëpusë sekuencat kryesore të CD me video-incizimet që përfshijnë pamjet para shtëpisë së të akuzuarit Murseli dhe lëvizjet e tij, si dhe ndodhitë e 30 nëntorit 2023.

Kjo ngase videoja që posedonin aktualisht, kishte hapësirë shumë të madhe, shkruan “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Javorka Perlinçeviq tha se kanë provuar t’i ndajnë video-incizimet por meqenëse ka qenë pauzë, nuk kanë qenë të disponueshëm.

“Do të ishte më së miri pasi që folderi ka të bëjë me video-incizimet, pamjet para shtëpisë së të akuzuarit Naim Murseli, është një file i madh me video, diku 700-800 gb, do të ishte më mirë që kjo seancë të caktohet për një date tjetër dhe Prokuroria do të mundohet që sekuencat me rëndësi t’i ndajë në një CD”, tha Perlinçeviq.

Ajo tha se si Prokurori, për arsye të mbrojtjes, në hard-disk i kanë bartur të gjitha video-incizimet nga DVR dhe nuk kanë shkëputur asnjë sekuencë.

“Për arsye se mund të ketë keqkuptime dhe kundërshtime nga ana e mbrojtjes se mos të bie se Prokuroria ka dashur të fsheh diçka”, tha ajo.

Perlinçeviq shtoi se do të mundohen t’i ndajnë disa sekuenca nga video-incizimi, ku paraqitet momenti i lëvizjeve të Naim Murselit në ditën kritike dhe disa veprime tjera, si dhe ndodhitë e ditës së nesërme, 30 nëntor 2023. Këto tha se do mundohen t’i shkëpusin në bazë të propozimit që kanë për t’i parë në seancën e radhës.

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku aprovoi propozimin e prokurores Perlinçeviq, ndërkaq seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar e radhës sipas agjendës së paracaktuar.

Pas diskutimeve, trupi gjykues ka marrë vendim që seanca të vazhdoj me 12 dhjetor.

“Në këto rrethana trupi gjykues merr aktvendim, aprovohet propozimi i prokurorit të shtetit, seanca e sotit ndërpritet dhe e radhës do të jetë më 12.12.2025, sipas agjendës së paracaktuar”, u tha nga trupi gjykues.

Latest from Blog

Go toTop