Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka bërë të ditur se ka realizuar me sukses intervenimin e parë laparoskopik urologjik në veshkë, një procedurë që deri më sot nuk ishte kryer në këtë institucion.
Sipas njoftimit në Facebook, gjatë operacionit është hequr një cist me përmasa rreth 20 centimetra.
Intervenimi është kryer nga Dr. Kushtrim Fejza, me asistimin e Dr. Vigan Vokshit dhe Dr. Xhavit Krasniqit, si dhe me mbështetjen e ekipit të Anestezionit dhe instrumentarëve.
“Ky sukses shënon një hap të rëndësishëm drejt avancimit të shërbimeve urologjike në Spitalin e Pejës dhe në të gjithë rajonin, duke dëshmuar përkushtimin tonë për ofrimin e trajtimeve moderne dhe minimale invazive për pacientët tanë”, shkruhet në njoftimin e Spitalit.