Gjykata Supreme ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Apelit, duke i njohur paditësit K.J., të drejtën e pensionit të veteranit të UÇK-së.
Siç njofton Gjykata Supreme, kjo e drejtë i njihet nga data e ndërprerjes së pensionit, më 28 qershor 2021 derisa të ekzistojnë kushtet ligjore.
“Kolegji i Gjykatës Supreme ka aprovuar si të themeltë revizionin e parashtruar nga paditësi: K. (I.) J., nga D., R. e Sh., dhe ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, duke ia njohur paditësit të drejtën në pensionin personal të veteranit luftëtar të UÇK-së. Nga shkresat e lëndës rezulton se me vendimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transferave – Departamenti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, është refuzuar si e pabazuar ankesa e ankuesit K. J., për njohjen e së drejtës në pension personal të Veteranit – Luftëtar të UÇK-së”, shkruhet në njoftim.
Gjykata njofton se pas refuzimit të kërkesëpadisë së tij nga instancat më të ulëta gjyqësore, kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, AA.nr.436/2024, të datës 10.03.2025, paditësi nëpërmes Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, ka parashtruar revizion në Gjykatën Supreme.