Skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany arriti një fitore bindëse në shtëpi kundër Freiburgut në javën e 11-të të Bundesligës.
Pjesa e parë nisi me befasi, pasi miqtë kaluan shpejt në avantazh 0-2 dhe krijuan përshtypjen se Bayern Munich ishte pranë një humbjeje të papritur. Megjithatë, para mbylljes së pjesës së parë, Karl dhe Olise arritën të rikthenin ekuilibrin, duke çuar ekipet në pushim me barazim.
Në pjesën e dytë, bavarezët treguan dominim të plotë, duke shtuar edhe katër gola të tjerë duke përmbysur ndeshjen në mënyrë spektakolare.
Falë këtij triumfi, “Die Roten” kanë vendosur një rekord të ri historik, duke qëndruar në krye të Bundesligës për 43 javë të njëpasnjëshme. Herën e fundit që Bayerni kishte pasur një seri kaq të gjatë ka qenë në fillim të viteve 1970, më shumë se gjysmë shekulli më parë.
Pas 11 takimeve, Bayerni ka arritur kuotën e 31 pikëve, gjashtë më shumë se ndjekësit e tyre më të afërt.