Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, priti ambasadoren kanadeze në Kroaci dhe Kosovë, Jessica Blitt.
Takimi zuri vend në selinë e KFOR-it në kampin “Film City”, në Prishtinë.
Sipas njoftimit të KFOR-it, takimi i ofroi komandantit një mundësi të vlefshme për të përshkruar situatën e sigurisë në rajon, duke theksuar angazhimin e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë.
Në këtë kontekst, gjenerali Ulutaş përgëzoi kontributet e Kanadasë në misionin KFOR, të udhëhequr nga NATO.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë” thuhet në njoftimin e KFOR-it.