Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci është shprehur i lumtur që në mbledhjen e sotme të Qeverisë, është marrë vendimi preliminar që ka të bëjë me shpronësimin i zonës industriale që do të përdoret për industrinë e mbrojtjes në Gjakovë.
Përmes një konference për media, Maqedonci tha se kjo zonë ka synim të mbështesë edhe fabrikën e municionit e cila do të zhvillohet atje.
“Sot morëm një vendim preliminar të rëndësishëm, më saktësisht për industrinë e mbrojtjes tonë, ka të bëjë me shpronësimin e pronave që do të bëhen prona të mbrojtjes, si pjesë e zonës industriale të mbrojtjes që do të vendoset në zonën e Gjakovës. Kjo zonë do të ketë synim që të mbështesë edhe fabrikën tonë të municionit që do të vendoset atje dhe do të drejtohet nga një kompani publike, dhe që ka në plan të akomodojë shumë prodhues tanë, edhe partnerëve tanë që planifikojnë të investojnë në aspektin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë”, deklaroi ministri në detyrë.
Ai tha se ky është një hap shumë i mirë në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
“Do të jetë segment i rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit tonë, duke ua mundësuar të rinjve, bizneseve dhe institucioneve që të kontribuojnë në industrinë e mbrojtjes”, theksoi Maqedonci.