Kombëtarja e Kosovës në futboll ka arritur për herë të parë në histori të gjendet në fazën e playoff-it të kualifikimeve për Kampionatin Botëror, që vitin e ardhshëm mbahet në ShBA, Kanada dhe Meksikë.
Për këtë sukses të “Dardanëve”, Qeveria në detyrë në mbledhjen e sotme i ndau 250 mijë euro.
Por, nëse arrijnë që të shkojnë mëtutje, kryeministri në detyrë Albin Kurti, u shpreh se do të ketë shpërblim deri në 1 milion euro, nëse kombëtarja “kaltëreverdh” arrin të kualifikohet në këtë kampionat.
E Kurti, megjithatë ia huqi duke iu referua kombëtarës vetëm si “klub futbollistik”.
Këtë lëshim, ai e bëri gjatë hedhjes në votim të propozimit për ndarjen e mjeteve financiare për “Dardanët”.
‘‘Është shqyrtimi i propozim vendimit për ndarje buxhetore për klubin futbollistik Kosova, për çfarë e ftojë ministrinë e Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Muratin që ta merr fjalën’’, deklaroi Kurti në mbledhjen e Qeverisë në detyrë.