Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media, përveç për pagat e RTK-s, është arsyetuar edhe për situatën me Trafikun Urban në Komunën e Prishtinës.
Ai e akuzoi LDK-në se ka bërë fushatë në kurriz të qytetarëve, ndërsa shtoi se VV në kuvendin komunal, sot do të japë votë mbështetëse.
“Kemi pasur të bëjmë më një fushatë të LDK-së, të udhëhequr në kurriz të qytetarëve të Komunës së Prishtinës. Kur ishte seanca, nuk e bëri. Atë që nuk e bëri Lumir Abdixhiku dhe LDK në Kuvendin e Kosovës, ë[r buxhetin e Prishtinës, sot po e bën LVV në Kuvendin Komunal, duke ofruar mbështetjen, përkundër shpifjeve, ofendimeve dhe fyerjeve që po i shohim çdo ditë”, tha Murati.
Por kur u pyet nga gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, a do të takohet me Ramën, Murati refuzoi të përgjigjet.
Ai ia ‘lëshoi’ radhën kolegut të tij, Ejup Maqedonci për t’u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.
Edhe në fund të konferencës, Tërshani insistoi të marrë një përgjigje nga Murati.
“Po e ndjej të nevojshme ta përsëris edhe një herë. Zotëri Murati, a mund të na tregoni a do e takoni Përparim Ramën, a e shihni të arsyeshme ta mbani një takim me të, për krejt çështjes financiare, ekonomike që lidhen me Komunën e Prishtinës, kur i njëjti ka ardhë deri te objekti i Qeverisë për takim me juve?” – ishte pyetja e gazetares.
Këtë herë, ministri u pa në siklet dhe më pas e mbylli konferencën dhe u largua.