Lista Serbe ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të mos e certifikojë këtë subjekt për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, i cili në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut e ka quajtur vendimin e KQZ-së “të paligjshëm, joligjor dhe antiserb”.
“Sot kemi dorëzuar ankesën dhe presim që ky vendim të anulohet dhe subjekti ynë politik të konfirmohet për pjesëmarrje në zgjedhje”, tha Elek.
Ai akuzoi autoritetet e Kosovës se po u mohojnë serbëve të drejtën për të përzgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitimë.
KQZ-ja të martën nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet qendrore të 28 dhjetorit.