Kryetarët e rinj të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, morën sot drejtimin e komunave.
Nga ora 11:00, u shënua një fillim i ri mandatash në këto komuna veriore.
Në Zveçan, Dragisha Miloviq u betua dhe premtoi bashkëpunim me të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe lokale që veprojnë në Kosovë, përfshirë KFOR, EULEX, OSBE dhe MAPL.
“Do të bashkëpunoj edhe me përfaqësuesit e misioneve me KFOR me EULEX me OSBE me të gjitha institucionet në Prishtinë, MAPL dhe juve mediave. Duhet të kuptojmë që qeverisja lokale duhet të jetë e fokusuar të qytetarët. Kushdo që vjen këtu të mirëpritet… për të mirë të qytetarëve tanë”, deklaroi Miloviq.
Njëherësh, në Mitrovicën e Veriut, kryetari i ri Milan Radojeviq mori mandatin së bashku me asamblistët e Kuvendit Komunal.
Seanca u vonua pak pasi një asamblist serb vendosi flamurin e Serbisë, i cili u hoq para se procedura të vazhdonte.
Për t’i lënë radhën komunës së Zubin Potokut, ku kryetari i ri Millosh Peroviq u betua dhe premtoi të ushtrojë detyrën me ndershmëri dhe besnikëri ndaj komunës dhe qytetarëve.
“Unë si kryetar Millosh Peroviq deklaroj së do të kryej detyrat e mia dhe ushtroj kompetencat e mia me nder dhe besnikëri në mënyrë që të krijoj kushte për jetë në Komunën e Zubin Potokut te sigurt dhe të qetë. Si kryetar falënderoj të gjithë na presin plane të vazhdueshme të komunës”, ka theksuar ai.
Edhe komuna e Leposaviqit, mori udhëheqjen e re nga kryetari Zoran Tadiq, ku po ashtu dominoi flamuri i Kosovës dhe fotografia e presidentes Vjosa Osmani.
Por, nuk mbeti pa u dëgjuar edhe zëri shqiptar politik në këto seanca inaguruese.
Asamblistët shqiptarë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Emir Azemi dhe Aida Doli, kanë kërkuar nga asamblistët e komunitetit serb që të mos politizojnë asgjë në mbledhjen solemne për betimin e kryetarit të ri të kësaj komune.
Ata theksuan se nuk frikësohen, por ishin aty për t’u betuar dhe për ta konstituuar Kuvendin Komunal.