Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7 kanë dënuar ndjekjen penale ndaj aktivistit dhe manjati i medias pro-demokraci Jimmy Lai, duke u bërë thirrje autoriteteve të Hong Kongut që të ndalin proceset gjyqësore dhe ta lirojnë atë menjëherë. Pekini reagoi ashpër, duke e cilësuar deklaratën si “ndërhyrje të hapur në punët e brendshme të Kinës”.
Një trup gjykues me tre gjyqtarë shpalli fajtor 78-vjeçarin për dy akuza për komplot me forca të huaja që rrezikojnë sigurinë kombëtare dhe një akuzë për komplot për publikim të materialeve nxitëse. Lai pritet të dënohet në fillim të vitit të ardhshëm dhe rrezikon burgim të përjetshëm.
Në një deklaratë të përbashkët, vendet e G7, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, shprehën shqetësim për përkeqësimin e të drejtave dhe lirive në Hong Kong.
Reagimi i Kinës ishte i menjëhershëm. Gazeta shtetërore Global Times citoi një zëdhënës të paidentifikuar të ambasadës kineze në Kanada, i cili e përshkroi qëndrimin e G7 si “ndërhyrje të vrazhdë në punët e brendshme të Kinës” dhe “shkelje serioze të normave bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare”.
Jimmy Lai, i cili ka deklaruar pafajësinë për të gjitha akuzat, ndodhet në paraburgim prej pesë vitesh, që nga arrestimi i tij gjatë protestave masive kundër qeverisë në vitet 2019–2020. Në vitin 2020, Pekini vendosi në Hong Kong ligjin e rreptë të sigurisë kombëtare, i cili kriminalizon veprimet e ndarjes, përmbysjes, terrorizmit dhe bashkëpunimit me organizata të huaja.
Jimmy Lai pritet të paraqitet sërish në gjykatë më 12 janar, për seancën para shpalljes së dënimit. Avokati i tij ka bërë të ditur se klienti do të vendosë nëse do të apelojë pas shpalljes së vendimit.