December 22, 2025
3 mins read

Çka ndodh kur i ndalni injeksionet për humbje peshe?

Injeksionet për humbje peshe, të njohura si GLP-1, si Wegovy dhe Mounjaro, kanë ndryshuar jetën e shumë njerëzve duke reduktuar ndjeshëm oreksin dhe dëshirën e vazhdueshme për ushqim. Por ndërsa përdorimi i tyre po rritet me shpejtësi, një pyetje mbetet pa përgjigje të qartë: çfarë ndodh kur këto ilaçe ndalen?

Sipas mjekëve dhe përvojave të pacientëve, ndalimi i GLP-1 mund të jetë një proces i vështirë dhe shpesh shoqërohet me rikthim të shpejtë të urisë dhe shtim të peshës. Ilaçet imitojnë hormonin GLP-1, i cili rregullon oreksin, duke “fikur” atë që shumë pacientë e përshkruajnë si “zhurma e ushqimit” – mendimet e vazhdueshme për të ngrënë edhe kur trupi është i ngopur, shkruan BBC.

Tanya Hall, një menaxhere shitjesh në industrinë e fitnesit, filloi të përdorte Wegovy fillimisht si eksperiment personal.  Ajo thotë se pas humbjes së peshës u trajtua me më shumë respekt në jetën profesionale. Megjithatë, trajtimi nuk ishte pa efekte anësore. Ajo përjetoi pagjumësi, të përziera, dhimbje koke dhe rënie të flokëve, të lidhura me humbjen e shpejtë të peshës.

Pavarësisht këtyre vështirësive, Tanya humbi rreth 38 kilogramë. Por përpjekjet për të ndalur ilaçin dështuan. Brenda pak ditësh nga ndërprerja, oreksi dhe dëshira për ushqim u rikthyen fuqishëm, duke e bërë të ndihej jashtë kontrollit. Aktualisht, ajo vazhdon trajtimin, nga frika e rikthimit të peshës, edhe pse pranon se efekti i ilaçit është zvogëluar me kalimin e kohës.

Një përvojë tjetër vjen nga Ellen Ogley, e cila filloi Mounjaro pasi shëndeti i saj ishte seriozisht i rrezikuar. Ajo kishte arritur një peshë të tillë sa iu desh të firmoste një deklaratë rreziku për një ndërhyrje kirurgjikale. Ellen e përshkruan veten si një ngrënëse emocionale, por thotë se injeksionet i dhanë mundësinë të rindërtonte marrëdhënien me ushqimin.

Ajo përdori ilaçin për 16 javë dhe më pas e uli dozën gradualisht. Gjatë kësaj kohe, humbi mbi 22 kilogramë dhe filloi të ushqehej më shëndetshëm dhe të ishte më aktive fizikisht. Pas ndalimit të Mounjaros, ajo vuri re një rritje të lehtë të peshës, por arriti ta menaxhonte situatën. Sot, Ellen thotë se ka humbur mbi 51 kilogramë në total dhe beson se humbja e peshës mund të jetë e qëndrueshme edhe pa ilaçin.

Sipas Dr Hussain Al-Zubaidit, ndalimi i menjëhershëm i injeksioneve për humbje peshe mund të jetë “si të hidhesh nga një shkëmb”. Ai paralajmëron se në shumë raste, brenda një deri në tre vjetësh nga ndalimi i trajtimit, 60-80% e peshës së humbur mund të rikthehet, veçanërisht në mungesë të mbështetjes së duhur.

Instituti Kombëtar për Shëndet dhe Kujdes Klinik në Mbretërinë e Bashkuar ka rekomanduar që pacientët të marrin të paktën një vit mbështetje dhe këshillim pas ndalimit të trajtimit, për t’u ndihmuar të ruajnë peshën dhe shëndetin. Megjithatë, për ata që i paguajnë injeksionet privatisht, kjo mbështetje nuk është gjithmonë e garantuar.

Prodhuesit e ilaçeve, Novo Nordisk dhe Eli Lilly, kanë deklaruar se siguria e pacientëve është prioritet dhe se vendimet për trajtim duhet të merren në bashkëpunim me profesionistët shëndetësorë.

Përderisa përdorimi i GLP-1 vazhdon të rritet, ekspertët theksojnë se këto ilaçe nuk janë një zgjidhje përfundimtare për obezitetin dhe se pa ndryshime afatgjata në stilin e jetesës dhe mbështetje.

Latest from Blog

Go toTop