Barcelona ka vendosur të bëjë një homazh të veçantë ndaj historisë së saj përmes fanellave të përdorura në Superkupë.
Siç raporton Sky Sport, klubi katalanas ka prezantuar një fanellë në edicion special, e krijuar fillimisht për garat evropiane, por e lançuar pikërisht me rastin e Superkupës.
Ajo që ka tërhequr vëmendjen e tifozëve është një detaj simbolik i fshehur në brendësi të jakës së fanellës. Brenda saj janë të stampuara minutat e golave të shënuar më 19 nëntor 2005, në një nga Clasico-t më ikonike të historisë së futbollit spanjoll.
Atë mbrëmje në “Santiago Bernabeu”, Barcelona triumfoi bindshëm 0-3 ndaj Real Madridit, me golin e Samuel Eto’o në minutën e 14-të dhe dopietën legjendare të Ronaldinhos në minutat 58 dhe 77, një ndeshje që mbetet e paharruar edhe për duartrokitjet e publikut madrilen për brazilianin.
Ky homazh merr edhe më shumë kuptim nga fakti se blaugranat u përballën sërish me Real Madridin në finale, duke arritur edhe një herë të dalin fitues. Një detaj i vogël, por me peshë të madhe historike, që tregon se te Barcelona, e shkuara vazhdon të jetojë në të tashmen.