January 16, 2026
1 min read

Presidenti i KF Drita pas shortit në CL: Duam të jemi në finale, por gjasat nuk i kemi aq të mëdha

Është hedhur shorti për fazën Play-Off të UEFA Conference League, ku FC Drita do të përballet me skuadrën NK Celje nga Sllovenia.

Presidenti i klubit kosovar, Valon Murseli, është shprehur i lumtur që skuadra e tij ka mbërritur nivelin në të cilin është tani.

Në një intervistë për UEFA pas shortit të playoffit, ai tha po ashtu se përballja me Celjen do të jetë përvojë e re për ta.

“Fillimisht, jemi shumë të lumtur që jemi këtu. Kemi luajtur një herë ndaj AZ Alkmaarit dhe jemi të kënaqur që do të kemi një përvojë të re ndaj një ekipi si Celje, me të cilin nuk jemi përballur më parë”, deklaroi Murseli.

Ai tha se klubi ka punuar shumë për të arritur deri këtu.

“Se sa larg do të shkojmë, nuk varet vetëm nga lojtarët apo vizioni ynë. Ne dëshirojmë të jemi në finale, por jemi një ekip i vogël dhe gjasat nuk i kemi aq të mëdha. Po fitojmë eksperiencë dhe pas rreth 7 vitesh mund të më pyesni përsëri; atëherë mund të flasim nëse do të jemi në gjendje ta arrijmë finalen apo jo”, potencoi ai.

Ndër të tjera, Murseli tha se do të investojnë shumë në infrastrukturë, teksa shtoi se po mësojmë shumë nga përvoja evropiane.

“Është diçka madhështore për ne, pasi në fillim nuk e kishim idenë se si do të na shkonin këta muaj. Megjithatë, ne do të vazhdojmë të nxjerrim mësime nga kjo pjesëmarrje”, u shpreh Valon Murseli, presidenti i KF Drita.

Ndeshjen e parë, Drita do ta luajë si vendës më 19 shkurt, kurse loja e kthimit zhvillohet më 26 shkurt. 

Latest from Blog

Go toTop