September 10, 2025
1 min read

Haxhiu thotë se s’ka informacione për rastin Mujka: Nuk mund të flas

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk mund të flasë në lidhje me aktakuzën e ngritur ndaj Faruk Mujkës, anëtar i VV-së, pasi që thekson se s’ka informacione.

“Derisa isha duke ardhur në këtë konferencë u njoftova nga zëdhënësi i VV-së për këtë. Nuk kam më tepër informacione dhe nuk mund të flasë për sa kohë që nuk kam informacione”, ka thënë ajo për gazetarët në një konferencë për media.

Haxhiu deklaroi se kjo parti do ta trajtojë këtë rast, “do të interesohet”.

“Ju e dini se menjëherë kam pasur qëndrime për raste ta zëmë të Rozeta Hajdarit, për Faton Pecin, ministrin Peci, sepse i kemi parë lëndët, çështjet dhe pretendimet e Prokurorisë”, shtoi ajo.

Ajo kërkoi që për këtë çështje të drejtohen te Faruk Mujka, ose “prisni derisa të kemi më shumë informacion”.

Mujka, i cili është edhe Kryeshef Ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, sipas Prokurorisë, akuzohet për veprat penale të “Keqpërdorimit të pozitës zyrtare” dhe “Mosraportimit ose raportimit të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë materiale ose detyrimeve financiare”. Akuzat lidhen me kohën kur ai ka shërbyer si nënkryetar i komunës së Mitrovicës.

Organi i akuzës bëri të ditur se Mujka së bashku me Hysen Muzliukaj, ish-këshilltar i Faton Pecit, dyshohen se i kanë shkaktuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dëm mbi 125 mijë euro.

Latest from Blog

Go toTop