January 26, 2026
1 min read

Këta janë zyrtari i ‘Eko-Regjionit’ dhe biznesmeni ferizajas që u prangosën nga Specialja

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në asistim me Policinë, ka ndërmarrë mëngjesin e sotëm një aksion që lidhet me hetimin e një aktiviteti të dyshimtë të tenderimit, ku janë të përfshirë ndërmarrja publike “Eko Regjioni” dhe një kompani private.

Urdhër kontrolli është realizuar në Prizren, Ferizaj, përfshirë ambientet e “Eko Regjioni” si dhe te kompania, drejtori i së cilës është arrestuar.

Siç merr vesh Klankosova.tv, të arrestuarit që dyshohen për këtë rast janë Arbër Gashi, shef i njësisë në Prizren të ndërmarrjes publike “Eko Regjioni” dhe Ragip Zejna, drejtor i “Dielli Construction” me seli në Ferizaj.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Gashii dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Zejna për “Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në prokurimin publik”.

Klankosova.tv ka kontaktuar fillimisht ndërmarrjen publike për të marrë një deklaratë lidhur me arrestimin e zyrtarit të saj, por nuk janë përgjigjur në thirrjet e redaksisë.

Njëjtë vepruan edhe nga kompania e Zejnës, të cilët nuk ishin të qasshëm për të dhënë versionin e tyre mbi këtë rast.

Ndryshe, Prokuroria njoftoi se gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, në mesin e provave janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike AK-47 si dhe para të gatshme.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Latest from Blog

Go toTop