Dy të akuzuar në rastin që lidhet me keqpërdorimet në Telekomin e Kosovës, D.C. dhe G.H., kanë pranuar fajësinë, ndërsa T.M., K.M., A.O. dhe F.A. janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që ndërlidhen me korrupsionin dhe vepra të tjera penale.
Deklarimet u bënë gjatë shqyrtimit fillestar të rastit, të drejtuar nga gjyqtarja Violeta Namani-Hajra.
Mbrojtësja e D.C., avokatja Merita Bajraktari, kërkoi nga gjykata që të aprovojë pranimin e fajësisë, duke theksuar se klienti i saj ishte konsultuar paraprakisht dhe i kishte kuptuar pasojat dhe përfitimet që rrjedhin nga ky veprim. Të njëjtin qëndrim e paraqiti edhe mbrojtësja e G.H., avokatja Arbenita Aliu.
Prokurori special, Rafet Halimi, u pajtua me pranimin e fajësisë dhe i kërkoi gjykatës ta miratojë atë. Ai propozoi që shpallja e dënimit për dy të akuzuarit të bëhet pasi të përfundojë procedura gjyqësore ndaj të pandehurve të tjerë, pasi D.C. dhe G.H. kanë edhe statusin e dëshmitarëve bashkëpunues.
Gjykatësja Namani-Hajra e aprovoi pranimin e fajësisë, duke vlerësuar se ai ishte bërë pas konsultimeve të mjaftueshme me avokatët mbrojtës. Megjithatë, vendimi për dënimin e tyre do të shpallet pasi të përfundojë procesi ndaj të akuzuarve të tjerë.
Ndërkohë, katër të akuzuarit që u deklaruan të pafajshëm kanë afat prej 30 ditësh për të paraqitur kundërshtimet ndaj provave dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës.
Denis Ceman dhe Gazmend Hyseni kishin pranuar fajësinë edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 5 nëntor 2024. Mirëpo, pas ndryshimit të kryesuesit të trupit gjykues, procedura filloi nga e para.
Çfarë përmban aktakuza për keqpërdorimet në Telekom?
Aktakuza ndaj të dyshuarve është ngritur më 26 qershor 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Në këtë rast përfshihen T.M., A.O., D.C., K.M., A.L., F.A. dhe G.H.
Sipas aktakuzës, T.M., i cili gjatë periudhës përkatëse ushtronte detyrën e drejtorit të marketingut në Telekomin e Kosovës, dyshohet se nga 21 janari deri më 24 prill 2019 e keqpërdori pozitën e tij për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga pasuria e ndërmarrjes.
Prokuroria pretendon se ai kishte lidhur kontratë me një kompani për furnizimin me 239 telefona mobilë, prej të cilëve dyshohet se 153 i përvetësoi për vete. Në një furnizim tjetër me 16 telefona, sipas aktakuzës, ai dyshohet se përvetësoi edhe 11 pajisje të tjera.
Vlera e përgjithshme e telefonave që pretendohet se u përvetësuan arrin në 164 mijë e 847 euro e 83 centë.
Për këto veprime, T.M. akuzohet për veprën penale të përvetësimit në detyrë, sipas nenit 425, paragrafi 1, në lidhje me paragrafin 3 të Kodit Penal të Kosovës.