Pas incidenteve të dhunshme gjatë protestës së zhvilluar të enjten në Tiranë, 56 persona janë arrestuar, ndërsa 97 të tjerë janë proceduar penalisht. Në mesin e të arrestuarve janë edhe 16 të mitur, të moshës 15 deri në 17 vjeç.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë tubimit një pjesë e protestuesve kanë hedhur gurë, sende të forta dhe mjete piroteknike në drejtim të zyrtarëve policorë dhe objekteve të institucioneve shtetërore.
Gjatë përplasjeve janë shkaktuar dëme në biznese private, banka dhe ndërtesa institucionale. Po ashtu, janë dëmtuar sinjalistika rrugore dhe prona të tjera publike e private, ndërsa janë raportuar edhe automjete policore të djegura.
Si pasojë e incidenteve, 24 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë marrë trajtim mjekësor.
Hetimet lidhur me ngjarjet dhe identifikimin e personave të përfshirë në incidentet e protestës po vazhdojnë.